Këshilli i Bashkisë së Matit u mblodh këtë të martë në një mbledhje jashtë radhe me vetëm tre pika në rendin e ditës. Si mbledhje jashtë radhe, pika kryesore ishte për ngritjen e grupeve të këshilltarëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pleqësive të fshatrave të Bashkisë së Matit.
Ndërkohë një grup pune i ngritur paraprakisht kishte bërë edhe një ndarje të zonave, kryesisht sipas njësive administrative ku këshilltarët banojnë, por pa përjashtuar përfshirjen e tyre edhe në njësi të tjera.
Këshilli miratoi grupet e propozuara në mbledhje që do të nisin punën në vijim sipas një grafiku që do të vendoset nga vetë ata. Ndërkohë, këto grupe do të zgjedhin anëtarësinë e fshatrave që përbëhet nga një anëtarë në çdo lagje e më pas anëtarët do të zgjedhin kryetarin e fshatit.
Në këtë strukturë vendore janë përfshirë në Bashkinë e Matit 7 njësi administrative, ku përjashtim bën Njësia Burrel. Po në këtë mbledhje këshilli shqyrtoi edhe një vendim të marrë në mbledhjen e kaluar, vendim të cilin e kishte kthyer institucioni i prefektit të Qarkut Dibër për rishqyrtim.
Në pikën e të ndryshmeve, këshilltarët diskutuan kërkesa të ardhura nga banorë të Bashkisë Mat.