Ekipi i futbollit “Burreli” është rigrumbulluar i gjithi këtë të Martë për të vijuar me stërvitjet deri në rifillimin e kampionatit. Gjysma e skuadrës ishte grumbulluar që me datë 18 Maj, ndërsa pjesa e futbollistëve që vijnë nga rrethet e tjera nuk patën ardhur. Ndërkohë i gjithë grupi mori udhëzimet e nevojshme sot nga stafi teknik dhe përfaqësues të klubit. Trajnerët Renato Hoti e Kastriot Rama dhanë udhëzimet e nevojshme për stërvitjen, ndërsa vetë Drejtori Teknik i Klubit, Klevis Gjoka i njohu futbollistët me rregullat që duhet të ndjekin për shkak të situatës së pandemisë. Gjoka u shpreh se skuadra do të vijojë me stërvitje intensive për shkak të kohës së shkurtër që duhet deri në rinisjen e garës që mendohet të jetë me datë 7 Qershor. Burreli gjendet në vendin e parë në zonën play out në grupin A, ndaj dhe i duhet të luftojë për qëndrimin në kategorinë e parë.