Këshilli i Bashkisë së Matit zhvilloi këtë të Premte mbledhjen e radhës ku në rendin e ditës ishin 11 pika për tu shqyrtuar.     Këshilli e nisi mbledhjen me shqyrtimin e pikës së parë në rendin e ditës atë të Projekt – Vendimit për fondin 6 % të Ndihmës Ekonomike të muajit Qershor 2023. Pasi u diskutua, kjo pikë u miratua me të gjitha votat e naëtarëve të pranishëm në këtë mbledhje. Në pikën e dytë këshilli miratoi një shtesë në buxhetin e vitit 2023, fondi i ardhur nga qeveria në zbatim të vendimeve të këshillit të ministrave për rritjen e pagave. Ndërkohë në pikën pasardhëse u referua ndryshimi i vendimit të dhjetorit të vitit të kaluar për nivelin e pagave, vendim në të cilin është reflektuar rritja e miratuar nga qeveria. Të dyja këto pika morën miratimin e këshilltarëve të pranishëm. Në pikën e katërt këshilltarët e pranishëm miratuan projekt-vendimin për tavanet buxhetore për buxhetin afatmesëm 2024 – 2026, ndërsa në pikën e pestë këshilltarët u njohën me raportin e monitorimit për katër mujorin e parë të Bashkisë Mat për vitin 2023. Pika e gjashtë kishte të bënte me një relacion për inventarizimin, vlerësimin dhe nxjerrjen jashtë aktiveve p[ër vitin 2023. Pika e shtatë ishte informacion për realizimin e shpenzimeve për 6 mujorin e parë të këtij viti. Pika e radhës ishte projekt-vendimi për fondin për ndihmë shtetërore financiare Mbrojtjes Civile, pikë e cila u miratua me votat e këshilltarëve të pranishëm. Në pikën e nëntë këshilltarët miratuan projekt-vendimin për menaxhimin dhe arkëtimin e tarifës së shërbimit të ujitjes për vitin 2023, ndërsa në pikën e dhjetë, këshilltarët u njohën me gjendjen aktuale të kanaleve ujitëse në Bashkinë e Matit.