Ka nisur procesi i testimit të maturës shtetërore 2025 ku maturantët provuan njohuritë e tyre këtë të Martë në lëndën e gjuhës së huaj. 179 maturantë nga të gjitha gjimnazet e Bashkisë së Matit zhvilluan provimin e parë të Maturës Shtetërore në ambjentet e gjimnazit “Pjetër Budi” të qytetit të Burrelit. Grumbullimi i maturantëve nisi rreth orës 9:00 ku hyrja u bë sipas rregullave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit në Rregulloren e Maturës Shtetërore, ndërsa provimi nisi në orën 10:00 dhe zgjati 2 orë e 30 minuta. Teksa ishte në ndjekje të këtij procesi, Drejtori i Zyrës Vendore Arsimore Mat, Lefter Salaj ju uroi maturantëve suksese si dhe ju kujtoi atyre para se të hyjnë në provim rregullat që duhet të zbatojnë gjatë procesit.
Edhe 90 gjimnazistët e të gjitha gjimnazeve të Bashkisë Klos, zhvilluan provimin e lëndës së gjuhës huaj në palestrën e shkollës 9 vjeçare “Tahir Hoxha”, Klos.
Ndërsa procesi i administrimit dhe vlerësimit të testeve do të realizohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), duke siguruar të interesuarit se do të ketë standardet më të larta të transparencës dhe korrektësisë.