Qyteti ku u shkrua alfabeti i gjuhës shqipe nga figura të ndritura të shqiptarisë në vitin 1908, Manastiri, në Maqedoninë e Veriut, nga sot do të ketë bibliotekën e parë shqipe. Nismëtare e themelimit të kësaj biblioteke është Emira Selimi, studente dhe aktiviste shqiptare nga Shkupi. Ndërkohë, fushata mbarëkombëtare mblodhi mijëra libra që do të mund të lexohet në Manastir nga të gjithë shqiptarët. Unioni i Gazetarëve Shqiptar Qarku Dibër ju bashkua kësaj nisme. Kryetari i këtij unioni, Dritan Kurti tha se në bashkëpunim me Klubin Letrar “Pjetër Budi”, Mat dhe “Mat Televizion”, falë dhurimit të shkrimtarëve matjanë e jo vetëm, është bërë e mundur mbledhja e një fondi prej afro 240 librash, të cilët do të bëhen pjesë e bibliotekës shqipe të Manastirit.
Dorëzimi i librave i është bërë vullnetarëve në Tiranë të cilët prej shumë muajsh kanë punuar për të mbledhur libra të ndryshëm nga qytetarët në mënyrë që të arrihet fondi për themelimin e bibliotekës së Manastirit.
Falë iniciativës së studentes nga Shkupi, Emira Selimi, për hapjen e bibliotekës së parë shqipe në qytetin e Manastirit, qytetin e Kongresit të unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe, brezat në vijim do të kenë mundësi të lexojnë në shqip libra të autorëve shqiptarë, midis të cilëve dhe të atyre nga Mati i Pjetër Budit.