Zbritja e kafshëve të egra nga mallet e Matit është kthyer në një problem të madh për banorët e fshatrave. Rasti i fundit është ai në fshatin Karicë të Njësisë Administrative Baz. Një kope ujqërish mësohet se sulmon vazhdimisht bagëtinë e fshatrave të Njësisë Administrative Baz.

Ndërkohë këtë të hënë banorët e fshatit Karicë kanë vrarë një ujk i cili sulmoi tufën e bagëtisë. Banorët thonë se në dy muajt e fundit, rastet e sulmeve nga kafshët e egra të bagëtisë së tyre kanë qenë të shpeshta.

Por ky nuk është problemi më i madh për ta, pasi ujqërit po lëvizin me kope deri në qendrat e banuara, duke rrezikuar njerëzit. Selman Ndoj, thotë se po rrezikohen fëmijët që shkojnë në shkollë pasi mund të sulmohen nga ujqërit.

Zbritja e kafshëve të egra në zonat e banuara është parë edhe në fshatrat e Bashkisë së Klosit.