Shtohen rastet me Covid-19 në Mat. Burime pranë Njësisë së Kujdesit Shëndetësor Mat bëjnë me dije se gjatë 24 orëve të fundit numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në 10. Fshati Karicë i bashkisë Mat mund të konsiderohet “zonë e kuqe” pasi nga 10 të infektuarit 9 prej tyre janë banorë të fshatit Karicë, të Njësisë Administrative Baz, ndërsa 1 i infektuar është banor i qytetit të Burrelit. Nga simptomat që shfaqin të prekurit dyshohet se ata janë infektuar nga varianti Delta i koronavirusit. Të infektuarit vuajnë kryesisht nga rrjedhje hundësh, kollë e vazhdueshme, dhimbje fyti, dhimbje koke, ethe, temperaturë e moderuar.
Dyshohet se burim për shpërthimin e variantit Delta në Mat janë bërë grumbullimet e mëdha dhe kryesisht për raste gëzimesh apo hidhërimesh familjare, ku pothuajse nuk respektohen fare as mbjatja e maskës dhe as distancimi fizik. Organet ligjzbatuese ku përfshihet edhe policia e shtetit e kanë detyrim ligjor për monitorimin dhe zbatimin e këtyre masave të lëna në fuqi nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Përhapja e variantit Delta, dihet tashmë që është variant më ngjitës se varianti origjinal i koronavirusit. Dihet gjithashtu se personat që janë vaksinuar e kalojnë infektimin nga Delta më shpejt dhe me simptoma më të buta të sëmundjes. Gushti do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha grup-moshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar duke u paraqitur me kartën e identitetit. Për të pamundurit, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’ju dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 pa asnjë kufizim.