Një sherr mes dy gjimnazistëve të shkollës së Mesme të Bashkuar “Gjergj Kastrioti”, në Baz të Matit, ka degjeneruar në përdorimin e thikës.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 10 e 30 minuta, teksa dy të rinjtë kanë qenë në oborrin e shkollës. Sipas policisë, konflikti ka qenë i çastit dhe se nuk ka patur përplasje të mëparshme mes dy të rinjve. Në një deklaratë për mediat Policia bën me dije se 18-vjeçari, D.L, nxënës maturant në këtë shkollë, ka goditur me mjet prerës thikë 17-vjeçarin A.Gj. Ky i fundit është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Burrelit ku ka marrë ndihmën e parë. Ndërkohë, për shkak të plagëve të marra, 17-vjeçari është dërguar me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se sherri mes të rinjve ka qenë i çastit për motive krejt të dobëta. Edhe pse nxënës të tjerë kanë tentuar ta ndalojnë konfliktin, dyshohet se 18-vjeçari e ka goditur dy herë me thikë 17-vjeçarin.

Policia, e cila mbërriti në kohë në vendin e ngjarjes, ka bërë ndalimin e autorit të dyshuar,  maturantit 18-vjeçar, D.L, i cili ka dhënë edhe versionin e tij të ngjarjes se si ka nisur konflikti. Gjithashtu, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.

Ndërkohë, grupi hetimor, i cili ishte në vendin e ngjarjes, ka marrë në pyetje gjimnazistë të tjerë dhe drejtues të shkollës, për të hedhur më shumë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat dhe dinamikën e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.