Edhe pse në kushte të vështira atmosferike për shkak të shiut dhe erës së fortë është përkujtuar këtë të premte sakrifica e të rënëve në luftë për liri në vendin tonë, në 80-vjetorin e Çlirimit të Atdheut. Drejtues të pushtetit vendor në Mat e Klos, të institucioneve qëndrore në nivel vendor, drejtues të organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it Mat, përfaqësues se organizatës së familjeve të dëshmorëve, familjarë e pasardhës të veteranëve zhvilluan homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në qytetin e Burrelit. Fillimisht, pranë Varrezave të Dëshmorëve Mat u bënë homazhe pranë varreve të të rënëve në shërbim të atdheut.

Më pas, Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it Mat zhvilloi pranë ambjenteve të Pallatit të Kulturës në Burrel një aktivitet solemn kushtuar  80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Kryetari i kësaj Organizate, Sefer Duka, bëri një rezyme të kontributit të matjanëve në historinë e luftës për çlirimin e Atdheut.

  Më pas fjalën përshëndetëse e mbajti Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj i cili tha se 29 Nëntori është një moment reflektimi për të punuar më shumë për vendin tonë.

Gjatë këtij aktiviteti u ndanë Certifikata Mirënjohje nga Bashkia Mat për të rënët në luftë dhe për pasardhës të dëshmorëve në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, të cilat u ndanë nga kryebashkiaku Malaj, Nënprefekti i Matit, Pasha, e drejtues të institucioneve të tjera.

Veç vlerësimeve për anëtarët e saj, Organizata e Veteranëve të LANÇ-it Mat, i dha titullin “Mirënjohje” mjekut stomatolog, Sali Kurti i cili ka dhënë kontribut në financimin e rindërtimit të monumenteve historike në Mat.