Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, zhvilloi këtë të hënë një takim të rëndësishëm sensibilizues me fermerët e zonës, ku diskutoi në hollësi Skemën Kombëtare 2024 të mbështetjes për fermerët. Takimi u mbajt në sallën e mbledhjeve të këshillit bashkiak Mat dhe kishte për qëllim të informonte fermerët mbi mundësitë e reja të financimit që ofrohen nëpërmjet Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural.
Gjatë këtij takimi, Malaj prezantoi 5 masat kryesore të mbështetjes financiare që përfshijnë: ndërtimin e serrave diellore të reja me instalim sistemi ujitjeje, instalimin e rrjetave antibreshër, ndërtimin e stallave blegtorale dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, blerjen e makinerive bujqësore, si dhe investimet në sektorin e akuakulturës për rritjen e peshkut.
Fermerët e pranishëm shtruan një sërë çështjesh për diskutim, duke vënë theksin mbi sfidat me të cilat përballen në tregtimin e prodhimeve të tyre, si dhe mbi nevojën për më shumë mbështetje në sektorin e akuakulturës. Ndërkohë, Malaj siguroi fermerët se Bashkia Mat do të jetë gjithmonë një partner i përkushtuar për të ndihmuar në realizimin e investimeve dhe për të lehtësuar procesin e aplikimit për fondet e ofruara nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural. Në fund të takimit, kryebashkiaku u bëri thirrje fermerëve që të mos humbasin kohë dhe të aplikojnë sa më shpejt në njërën nga masat mbështetëse pranë zyrave të Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Tiranë, duke theksuar se afatet për aplikim janë të kufizuara dhe mundësitë e investimit janë të rëndësishme për përmirësimin e ekonomisë lokale. Kjo thirrje nga Bashkia Mat vjen në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për të rritur investimet në sektorin bujqësor dhe rural në vend, me synimin për të rritur prodhimin dhe përmirësuar kushtet e jetesës për fermerët.