Kjo e enjte e ka gjetur vendin në një situatë të përmirësuar të motit, ku një ditë më parë reshjet e dëborës krijuan probleme. Trashësia e dëborës e cila ra gjatë gjithë ditës së Mërkurë shkoi nga 30 deri në 50 centimetra në zonat malore, duke krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve. Ndërkohë gjatë ditës së sotme rritja e ndjeshme e temperaturave bëri që dëbora të niste shkrirjen e shpejtë. Megjithatë, Bashkia e Matit ka nisur punën për hapjen e rrugëve rurale në njësitë administrative të Lisit, e Macukullit. Mjetet e bashkisë kanë bërë të mundur hapjen e rrugëve në mënyrë që ato të jenë funksionale në raste emergjence nga vetë banorët. Nga ana tjetër specialistët e bujqësisë thonë se dëmet në frutikulturë mund të mos jenë të mëdha përsa kohë nuk ka rënie shumë gradë nën zero, për të krijuar ngrica. Gjithsesi shumë pemë frutore dëbora i ka gjetur në lule, ku pritet të ndikojë në uljen e rendimentit të prodhimit. Nëse do të vazhdojë rënia e temperaturave, atëherë thonë specialistët, do të rritet edhe dëmi i shkaktuar në këtë periudhë nga rënia e dëborës.