Bashkitë Mat e Klos vijojnë punën për hapjen e rrugëve të fshatrave, pasi qendrat e njësive administrative janë të gjitha të aksesueshme. Sipas Zyrës së Mbrojtjes Civile në Bashkinë Klos, prej dy ditësh po punohet për hapjen e rrugëve të njësisë administrative Xibër. Deri tani dy fshatra vijojnë të jenë të izoluar, ai Xibër – Hane dhe Ketë. Po ashtu, rrugët e fshatrave Gurrë e Madhe e Gurrë e Vogël në Njësinë Administrative Gurrë janë pa u pastruar, ndërsa pritet të nisë puna edhe në këto fshatra.
Ndërkohë në Bashkinë e Matit po punohet për hapjen e rrugëve të fshatrave të thella të të gjitha njësive administrative. Mjetet e Drejtorisë së Shërbimeve dhe Infrastrukturës të Bashkisë së Matit kanë punuar dhe kanë hapur rrugët e fshatrave Vig, Prell, Derjan, rrugët e brendshme të Bazit, Bushkash, Stojan, Shëlli, Vinjall, Mallunxë, Shoshaj etj.
Vazhdon puna për hapjen e rrugëve Dukagjin – Gjoçaj, Dukagjin – Macukull dhe Komsi – Selixë.