Kjo është familja Basha, nga fshati Kalivaç i Njësisë Administrative Baz në Bashkinë e Matit. Familja katër anëtarëshe është aktualisht pa një banesë të mirëfilltë, pasi ajo që kishin rrezikon t’i zërë brenda. 83-vjeçari Veli Basha thotë se nga tërmeti i vitit 2019 u dëmtua edhe shtëpia e tij, pasi çatia i ra brenda. Në atë kohë ai u zhvendos të jetojë me qera në Fushë Krujë, por për shkak se as atje nuk mundi të paguajë qeranë, është rikthyer tek banesa e dëmtuar. Bashkia e Matit i ka ardhur në ndihmë duke i dërguar një çadër, por për familjen Basha, në këto temperatura është vështirë të qëndrohet në të.
83-vjeçari Veli Basha apelon për ndihmë për një banesë, pasi vetë ndjehet i pafuqishëm për ta ndërtuar. Shpresa e vetme për të, që familja e tij të ketë një strehë të sigurtë, janë institucionet, por apeli i të moshuarit shkon edhe për shoqatat e ndryshme bamirëse dhe të gjithë ata që kanë mundësi ekonomike, ta ndihmojnë. Familja Basha, nga fshati Kalivaç i Njësisë Administrative Baz në Bashkinë e Matit, gdhi e ngryset me shpresën se dikush do ta ndihmojë që pa ardhur stina e vjeshtës dhe e dimrit të ketë një strehë të sigurtë për katër anëtarët e saj.