Një aksident rrugor ndodhi pasditën e kësaj të Enjteje në aksin nacional Burrel – Milot në fshatin Bushkash. Një mjet doli nga rruga duke përfunduar në humnerë. Për pasojë u plagosën dy të rinj të moshave 28 dhe 22 vjeç.

Ata u transportuan me urgjencë në spitalin e Burrelit ku morën ndihmën e parë. Më pas u dërguan në Tiranë për mjekim më të specializuar. Burime nga spitali i Burrelit thanë se të rinjtë janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë sipas policisë mjeti po udhëtonte nga Bulqiza në drejtim të Tiranës. Ekspertët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa paraprakisht dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e lagështisë në rrugë.