Masakra me 1 të vdekur dhe 4 të plagosur në kavajë, Meta telefonon Isa Sakjan, zbardhet biseda

Presidenti Ilir Meta ka telefonuar kryebashkiakun e Kavajës, Isa Sakja për ngjarjen e rëndë, të ndodhur në Kavajë.

Meta ka shprehur shqetësimin e thellë për ngjarjen tepër të rëndë dhe tragjike, të ndodhur sot në qytetin e Kavajës, ku një qytetar i pafajshëm humbi jetën dhe disa qytetarë të tjerë u plagosën.

Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se Meta pati një bisedë telefonike me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja dhe i kërkoi t’i përcjellë ngushëllimet dhe solidaritetin e Tij më të sinqertë të afërmve dhe familjarëve të qytetarit që humbi jetën, si dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.

Presidenti Meta kërkon nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë, zbardhjen e shpejtë dhe të plotë të saj, si dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Sakaq, Presidenti Meta ka theksuar domosdoshmërinë e rritjes së gatishmërisë së Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese, për të marrë të gjitha masat e duhura për garantimin e sigurisë publike në vend dhe parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla kaq të rënda e tragjike.

Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm pak minuta më parë, ku si pasojë e një konflikti me armë mes disa personave mbeti i vdekur kalimtari, Ramazan Hasanlliu, i cili kishte dalë për të blerë bukë dhe nuk kishte lidhje me ngjarjen.