Marta Kos: Reformat, Çelësi i Investimeve dhe Mirëqenies në Shqipëri
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se perspektiva e investimeve ekonomike në Shqipëri lidhet ngushtë me përmbushjen e reformave të nevojshme.
Gjatë fjalës së saj në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, Kos theksoi se reformat janë kushti thelbësor për tërheqjen e investimeve të huaja dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve shqiptarë.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e transparencës dhe komunikimit efektiv gjatë procesit të integrimit europian. Komisionerja sugjeroi organizimin e një takimi me përfaqësuesit e biznesit gjatë vizitës së saj të ardhshme në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e tyre në këtë proces.
Kos foli edhe për paragjykimet ndaj Shqipërisë, duke theksuar nevojën për një angazhim të përbashkët për t'i kapërcyer ato. Në këtë kontekst, ajo ndau një përvojë personale pozitive nga një udhëtim turistik në Shqipëri, ku kishte kaluar pushimet së bashku me bashkëshortin në Theth.
“Edhe ne duhet t’i përmirësojmë ato. Ky është një proces në të cilin transparenca dhe komunikimi janë shumë të rëndësishëm. Ajo që sugjeroj është që, herën tjetër që të vij në Shqipëri, të organizojmë një takim me përfaqësuesit e bizneseve. Gjithçka që ju përfaqësoni këtu është shumë e rëndësishme,” u shpreh Marta Kos.
Ajo shtoi: “Begatia e Shqipërisë është e mundur. Së pari duhet të kryhen reformat dhe më pas do të vijnë investimet. Kështu rritet begatia dhe përmirësohet cilësia e jetës. Sa më pranë vijës së finishit të jeni, aq më pak do të keni nevojë për mua.”
Lidhur me paragjykimet, Kos tha: “Ka shumë paragjykime dhe ne të gjithë duhet të punojmë për këtë çështje. Një koment personal nga ana ime: do të thoja se kam kaluar pushimet në Shqipëri së bashku me bashkëshortin. Nuk i kam thënë askujt, por kemi përshkuar 4 mijë kilometra me makinë, nga këtu deri në Theth. U ngjitëm atje, kemi pirë çaj dhe ju keni çajra fantastikë. Nuk kam takuar njerëz kaq të mirë dhe nuk kam vizituar vende kaq të bukura. E rëndësishme është që të ndjekim objektivin. E di që nuk do të kemi të gjithë të njëjtat mendime dhe mund të mos biem dakord për të njëjtat gjëra.”