Në kuadër të festës së Pavarësisë dhe asaj të Çlirimit të vendit shkollat e arsimit parauniversitar në Mat kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh “kuqezi”. Mes aktiviteteve festive spikati i ai shkollës 9-të vjeçare “31 Korriku” të qytetit të Burrelit. Të veshur me ngjyrat e flamurit, nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, zhvilluan një manifestim në rrugët e qytetit të Burrelit, për t’i dhënë më shumë atmosferë 28-29 Nëntorit.

Marshimi i nxënësve torhoqi vëmendjen e dhjetra qytetarëve në rrugën “Kuvendi i Dukagjinit”. Ndërkohë, Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Mat, Shpresa Tusha tha se gjatë këtij muaji shkollat e bashkisë Mat kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh në nderim të dy ditëve të shënuara të Nëntorit në kalendarin historik të vendit tonë.

Ndërkohë, aktivitete festive u zhvilluan në të gjitha shkollat e Matit. Klasa e parë A në shkollën “31 Korriku” festoi në mjediset e klasës me recitime e valle.

  Aktivitetet nëpër shkolla u zhvilluan të ngjeshura ditën e premte për shkak të vendimit të Qeverisë që përcakton ditën e hënë, 27 nëntorin, pushim.