Pas arritjes së marrëveshjes mes opozitës jashtë parlamentit dhe mazhorancës për reformën zgjedhore të shumta kanë qenë reagimet. Faktori ndërkombëtar e ka përshëndetur, por ka edhe zëra kundër kësaj marrëveshje.
Gazetari Bledian Koka thotë se tryeza e sotme (14 janar) ka lënë një shije të keq tek mbështetësit e opozitës. Marrëveshja sipas tij, bie ndesh më mënyrën si opozita ka bërë aksionin e saj politike.
Bledian Koka: Sot ishte fytyra e mazhorancës përballë opozitës, e cila ka protestuar edhe kundër Damian Gjiknurit. Mendoj se kjo e sotmja ka lënë një shije të keqe tek mbështetësit e opozitës, nuk e kanë fshehur këtë gjë. Ndoshta marrëveshja duhej sepse duhet bërë analiza nga fillimi. A duhej një marrëveshje? Sigurisht që duhej. A duhet të zgjidhet kriza? Sigurisht që duhet sepse në analizë dhe peshore janë edhe fatet e Shqipërisë. Por opozita nga ana tjetër, nga mënyra si ka zhvilluar aksionin e vet politik, që nga 16 shkurti i vitit të kaluar, ku dogji mandatet, i ka ftuar në kauzë mbështetësit e saj për një tjetër gjë. I ka ftuar për një qeverisje pa Edi Ramën, për një reformë zgjedhore pa Edi Ramën, për një tryezë negociatash pa Damian Gjiknurin.
Gazetari Koka e konsideron një kartolinë të shëmtuar, pasi nuk pritej që opozitë të ulej në tyrezë sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
Bledian Koka: Mendoj që nga opozita nuk pritej që në një moment të caktuar të ulej në tryezën e diskutimit sikur asgjë s’ka ndodhur. Nuk pritej nga opozita që të ulej në tryezë me Damian Gjiknurin. Deklarata e 18 shtatorit e Bashës ka qenë kjo: Ne e konsiderojmë farse ftesën e Ramës për tu ulur në tryezën e diskutimit kur përballë është Damian Gjiknuri. Damian Gjiknuri është ai që ka qenë si në 18 shtator, si ai që është sot. Është një njeri i kapur në përgjime duke manipuluar zgjedhjet në Dibër me termin e famshëm “tërmet tërmet” dhe ai që shkaktoi tërmetin e 11 shtatorit 2016 në Dibër sot është ulur përballë opozitës. Kjo është pikturë e shëmtuar të cilën PD dhe LSI nuk duhet ta kishin pranuar. Kartolina është e shëmtuar.
Burimi 360grade.al