Siguria në kabinat elektrike në zonat rurale mbetet ende një problem për banorët që jetojnë pranë tyre. Në fshatin Kovashicë të Njësisë Administrative Maqellarë në Dibër, kabina elektrike nuk ka siguri dhe në të mund të hyjë kushdo. Siç duket nga pamjet, kabinës i mungon dera çka bën që të jetë e pasigurtë për fëmijët por edhe për kafshët. Ylli Veliu shprehet se prej afro 20 vitesh kabina elektrike është në këtë gjendje dhe nuk është marrë asnjë masë për rritjen e sigurisë. Sipas tij, ka patur disa raste ku kafshët kanë rënë në kontakt me rrymën teksa janë futur brenda kabinës. Veliu thotë se vazhdimisht kanë marrë premtime që do të rregullohet, por deri tani situata ka mbetur e njëjtë.

Banorët e fshatit Kovashicë në Dibër kërkojnë që OSHEE të marrë masa dhe të sigurojë kabinën elektrike sa më parë, që të mos ketë mundësi askush të hyjë në të dhe të mos presin të bëjnë këtë pasi të ndodhë ndonjë tragjedi.