Banorët e fshatit Kërçisht i Sipërm në Maqellarë të Dibrës kanë protestuar këtë të enjte në mbrojtje të burimeve ujore të fshatit të tyre.

Banorët kundërshtojnë marrjen e këtyre burimeve nga Bashkia Dibër e cila ka planifikuar ndërtimin e një ujësjellësi për Maqellarën. Banorët bllokuan mëngjesin e sotëm mjetet e bashkisë të cilat kishin shkuar aty për të riparuar rrugën por kjo sipas banorëve është një grackë pasi synohet që në gjurmën e rrugës të futen tubacionet e ujësjellësit.

Banorët e Kërçishtit të Sipërm i kërkojnë kryetarit të Bashkisë Dibër që të ulet me ta dhe të arrijnë një zgjidhje, pasi në të kundërt nuk do të lejojnë që investimi të bëhet.

Kjo është e disata protestë që zhvillojnë banorët e fshatit Kërçisht i Sipërm në Maqellarë të Dibrës. Fshati është përzgjedhur nga qeveria si një nga 100 fshatrat turistik, ndaj dhe banorët kërkojnë investime për zhvillimin e turizmit e jo tju merret uji.