Ka përfunduar me rezultatin 1 me 5 për miqtë nga Kavaja ndeshja e luajtur e luajtur në stadiumin “Liri Ballabani”, këtë të shtunë mes ekipit të futbollit “Burreli” dhe atij “Luzi Vogël 2008” që vinte nga vendi i fundit i renditjes së Kategorisë së Parë në futboll.
Një triplet e sulmuesit Itodo dhe dopietë e Trenit, mundën skuadrën e Dorian Bubeqit. Në fillim u duk një ndeshje në favor të matjanëve, të cilët për pak minuta nga fillimi i lojës arritën të gjejnë rrjetën e portës mike. Ka qenë mbrojtësi Dedgjonaj që ndryshoi rezultatin në favor të ekipit të tij pas një goli të bukur të shënuar me kokë në minutën e 7.
Ndërkohë, tetë minuta më vonë është Itodo që realizon golin e barazimit, ndërsa në minutën e 39 të pjesës së parë, shënon golin e avantazhit Treni.
Ndërsa në minutën e 37 futbollisti i Burrelit, Koleci dëmtohet rëndë dhe dërgohet me autoambulancë në spital. Në pjesën e dytë nuk pati asnjë gol më shumë nga skuadra matjane, ndërsa miqtë shënojnë edhe tri herë në portën e mbrojtur nga Dani. Është përsëri Treni që shënon në minutën e 70, ndërsa Itodo do të shënonte dhe në minutat 87 dhe 90-të.
Kjo humbje ishte turpëruese për skuadrën e Burrelit pas fitores së arritur javën e kaluar në transfertë ndaj Tomorit të Beratit. Ndeshjet e tjera të luajtura sot përfunduan: Lushnja – Korabi 0 me 0, Apolonia – Voran 2 me 1, Besa – Kastrioti 1 me 1 dhe Flamurtari – Tomori 1 me 0.