LURË, PËRKEQËSOHET SITUATA NGA ZJARRI, FLAKËT U AFROHEN BANESAVE

LURË, PËRKEQËSOHET SITUATA NGA ZJARRI, FLAKËT U AFROHEN BANESAVE

Prej tre ditësh vijon beteja me flakët në masivin pyjor të Lurës, ndërsa situata është përkeqësuar ndjeshëm, veçanërisht mbi lagjen “Koçekë” të Lurës, ku zjarri po afrohet rrezikshëm drejt banesave. Temperaturat e larta, era dhe terreni i vështirë malor po favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa tymi i dendur ka krijuar vështirësi edhe për banorët. Në terren janë angazhuar rreth 200 forca, mes tyre zjarrfikës, punonjës të Bashkisë Dibër dhe Zonave të Mbrojtura, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura, Policia dhe banorë të zonës. Ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri me dy avionë, ndërsa forcat vijojnë punën për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e banesave. Flakët janë afruar edhe në drejtim të Kishës së Fushë-Lurës. Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Dibër, Leonard Topuzi, ka deklaruar se terreni i vështirë po e vështirëson ndjeshëm ndërhyrjen në tokë. Banorët shprehen të shqetësuar për situatën, ndërsa një prej tyre, rreth 70 vjeç, thotë se nuk e mban mend këtë zonë të përfshirë më parë nga një situatë të tillë zjarri. Ndërkohë, Policia e Dibrës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për tre persona, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Bëhet fjalë për shefin e monitorimit të Parkut Kombëtar të Lurës dhe dy roje mjedisi, të cilët dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen nga zjarri të territorit nën përgjegjësinë e tyre. Sipas policisë, si pasojë janë djegur disa hektarë sipërfaqe pyjore. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale edhe të autorit ose autorëve të zjarrit. Ndërkohë, të gjitha strukturat e angazhuara në terren vijojnë operacionin nga toka dhe ajri, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe izolimin e flakëve për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit në masivin pyjor të Lurës.