LURË, NË LUFTË ME FLAKËT PREJ KATËR DITËSH, ZJARRI NË DREJTIM TË BANESAVE

LURË, NË LUFTË ME FLAKËT PREJ KATËR DITËSH, ZJARRI NË DREJTIM TË BANESAVE

Situata nga zjarri në masivin pyjor të Lurës vijon të jetë e vështirë, ndërsa flakët kanë përfshirë zonën prej katër ditësh. Në terren janë angazhuar rreth 240 forca nga Bashkia Dibër, Emergjencat Civile, Administrata e Zonave të Mbrojtura, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe shërbimet zjarrfikëse. Sipas drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Dibër, Latif Alku, aktualisht të gjitha forcat janë të përqendruara në krijimin e një perimetri për izolimin e zjarrit. Në zonën e Gurë-Lurës, forcat po punojnë për krijimin e korridoreve dhe izolimin e vatrave, duke bërë të mundur ndalimin e përparimit të zjarrit drejt banesave. Aktualisht, sipas vlerësimeve në terren, zonat e banuara nuk paraqiten në rrezik të drejtpërdrejtë, ndërsa ndërhyrja vijon me intensitet të lartë. Operacioni po mbështetet edhe nga ajri, me dy avionë, të cilët po hedhin ujë mbi vatrat më problematike. Terreni i vështirë malor e vështirëson ndërhyrjen nga toka, ndërsa era dhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e flakëve. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur edhe procedurat hetimore për përgjegjësit e situatës. Tre punonjës të strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe mbrojtjen e parkut, mes tyre shefi i monitorimit dhe dy roje mjedisi, po procedohen në gjendje të lirë për “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për parandalimin dhe mbrojtjen nga zjarri. Dyshimet për shkakun e zjarrit vijojnë të mbeten pjesë e hetimit, ndërsa Policia dhe Prokuroria po punojnë për identifikimin e autorit ose autorëve. Forcat në terren do të vijojnë operacionin deri në izolimin e plotë të vatrave dhe eliminimin e rrezikut për banesat dhe sipërfaqet e tjera pyjore të Parkut Kombëtar të Lurës.