Duket që problemi i lulëkuqes në të mbjellat me grurë nuk është vetëm në vendin tonë. Edhe në të mbjellat me grurë në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut është e njëjta situatë. Siç duket nga pamjet, parcelat e mbjella në fshatrat afër kufirit me Shqipërinë në Dibër të madhe janë të kuqura nga lulëkuqja.
Infektimi i farës duket që është një fenomen edhe matanë kufirit, ndërsa jashtë kameras, kultivuesit e grurit shprehen se shkaku kryesor është fara, pastaj vijnë shkaqet e tjera.
Ashtu si në vendin tonë, edhe në Dibër të Madhe fermerët nuk presin që të marrin rendimentin maksimal në të mbjellat me grurë, si pasojë e pranisë së lulëkuqes e cila jo vetëm pengon rrezet diellore për shkak se është bimë më e lartë, por merr edhe nga ushqimi i bimës së grurit.
Një nga këshillat më të shpeshta që japin specialistët e bujqësisë është ndërrimi i vendit të kultivimit të grurit çdo vit, në mënyrë që të eleminohet gradualisht bima e lulëkuqes.