LIQENI I ULZËS NË “PIKËN E VDEKJES”, KËRKOHET PËRGJEGJËSI NGA KURUM PËR SHFRYTËZIMIN E UJËRAVE

LIQENI I ULZËS NË “PIKËN E VDEKJES”, KËRKOHET PËRGJEGJËSI NGA KURUM PËR SHFRYTËZIMIN E UJËRAVE

Niveli i ujit në Liqenin e Ulzës ka rënë ndjeshëm, duke arritur në nivele minimale, të cilat banorët e zonës i cilësojnë si “pika e vdekjes”. Situata ka ngritur shqetësime të forta mes banorëve dhe peshkatarëve, të cilët kërkojnë përgjegjësi dhe transparencë për mënyrën se si po shfrytëzohen ujërat e basenit për prodhimin e energjisë elektrike.

Sipas banorëve të zonës, kompania KURUM, e cila shfrytëzon hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit, duhet të japë përgjigje publike lidhur me nivelin e shfrytëzimit të ujit dhe ndikimin që ky shfrytëzim mund të ketë në ekosistemin e Liqenit të Ulzës. Peshkatarët dhe banorët pretendojnë se shfrytëzimi i vazhdueshëm dhe intensiv i ujit, i kombinuar edhe me rënien e prurjeve të lumit Mat, ka sjellë uljen drastike të nivelit të liqenit.

Sipas tyre, kjo situatë po shkakton pasoja të drejtpërdrejta në ekosistemin ujor, peshkim dhe turizëm. Ata shprehen se rritja e temperaturës së ujit dhe ndryshimi i kushteve në liqen mund të ndikojnë negativisht në disa lloje peshqish.

Peshkatarë të zonës, të cilët kanë preferuar të flasin jashtë kamerave, deklarojnë se kjo situatë përsëritet çdo vit prej kohës kur HEC-et e Ulzës dhe Shkopetit kaluan në administrim privat. Sipas tyre, në të kaluarën niveli i ujit ruhej në nivele më të larta edhe gjatë muajve të verës, duke garantuar kushte më të favorshme për ekosistemin dhe ekonominë e peshkimit.

Aktualisht, tërheqja e ujit ka zbuluar sipërfaqe të mëdha të shtratit të liqenit, duke ndryshuar ndjeshëm pamjen e zonës dhe duke ngritur shqetësime edhe për të ardhmen e turizmit.

Liqeni i Ulzës është përdorur tradicionalisht nga banorët dhe turistët për pushim, peshkim dhe aktivitete rekreative. Banorët paralajmërojnë se vazhdimi i uljes së nivelit të ujit mund të sjellë pasoja të mëtejshme për ekonominë lokale dhe potencialin turistik të zonës.

Në këtë situatë, kërkohet transparencë nga kompania KURUM dhe institucionet përgjegjëse mbi mënyrën e menaxhimit dhe shfrytëzimit të ujërave të Liqenit të Ulzës, si dhe një vlerësim i qartë mbi ndikimin mjedisor të uljes së vazhdueshme të nivelit të ujit. Banorët kërkojnë që, nëse konstatohet se shfrytëzimi i ujit ka tejkaluar kufijtë dhe kriteret e përcaktuara, përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara ndaj ekosistemit, peshkimit, turizmit dhe interesit publik.