Niveli i ujit në liqenin e Ulzës ka rënë thuajse në pikën e vdekjes. Baseni ujor i këtij liqeni ka marrë pamjen e një rezervuari për shkak të rënies drastike të nivelit të ujit. Kjo dallohet qartë edhe gjatë lëvizjes në aksin rrugor nacional nga Bushkashi deri në Qafën e Ulzës.
Por më e rëndë është pamja teksa futesh në brendësi të ulzës përgjatë bregut liqenor. Siç duket nga pamjet, niveli i ujit ka zbritur disa metra nga bregu i liqenit në anën perëndimore. Jashtë kameras, banorë të ulzës thanë se nuk është parë ndonjëherë që niveli i ujit të zbresë deri në këtë pikë. Ata ankohen se kompania që ka privatizuar hidrocentralet Ulëz e Shkopet nuk po e zbaton marrëveshjen me ta, pasi me këtë nivel uji në liqen po rrezikon gjallesat ujore aty e kryesisht peshqit.
Një tjetër shqetësimi i banorëve nga rënia e nivelit të ujit është edhe rritja e rriskut të gjuetisë së paligjshme.
Ndërkohë, edhe pse pati reshje shiu në fillim të kësaj jave, nuk ka ndikuar në rritjen e prurjeve të lumit Mat dhe burimeve të tjera përreth.