Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Dibër ka patur ndryshime në javët e fundit. Zyrtarisht mësohet se nga kjo gjykatë janë larguar gjyqtarët Ardit Kuka,  Nertila Kape dhe Edvan Veçani.

Pak ditë më parë është larguar gjyqtari Ardit Kuka i cili me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor është transferuar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në  Elbasan. Gjyqtarja Nertila Kape dhe gjyqtari Edvan Veçani  po me vendim të KLGJ janë transferuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Burime për Mat Televizion thanë se pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër janë emëruar katër gjyqtarë të tjerë, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur.

Ndërkohë, Prokuroria e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, ka ende mungesa në prokuror. Kjo ka bërë që prokurorët aktual të kenë ngarkesë të ngjeshur të çështjeve të ndryshme për tu shqyrtuar.