Mati i dha lamtumirën e fundit Ymer Nelit, instrumetistit “Artist i Merituar” ”Mjeshtër i Madh” që për 65 vite në skenë ngriti krenarinë e krahinës së Matit në shumë festivale lokale e kombëtare. Familja, miqtë e ngushtë, kolegët, përfaqësues të Bashkisë Mat dhe të Këshillit bashkiak, komuniteti i shkrimtarëve dhe artistëve si dhe mjaft qytetarë, nderuan për të fundit “Qytetarin e Nderit”, Ymer Neli.

Homazhet u bënë rreth orës 14:00 të ditës së premte, në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Mat, ku artisti vituoz Ymer Neli e pati si shtëpi të dytë, ku mësoi dhe frymëzoi breza të tërë nxënësish, dhe që prej mëse një viti mban me krenari emrin e tij.

Pranë arkëmortit të tij u vendosën kurora me lule në emër të Bashkisë Mat, Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Ymer Neli”, Mat, si dhe të komunitetit të artistëve.

Fjalën e lamtumirës e mbajti instruktori i artit pranë Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mat, ish-drejtues i kësaj Qendre, Artan Kurti, që midis të tjerash e cilësoi Ymer Nelin, kolosin e muzikës tonë popullore, instrumentist me përmasa kombëtare, talentin virtuoz që i dha për mbi 60 vite Orkestrinës Popullore Matjane dhe Asamblit Mati jehonë brenda dhe jashtë të Shqipërisë.

Ndërsa, i biri i “Mjeshtrit të Madh” Ymer Neli, instrumentisti dhe kompozitori i mirënjohur Behar Neli, mes emocionesh të forta falenderoi pjesëmarrësit në këtë homazh lamtumire, duke u shprehur se ndihet krenar që është biri i Ymer Nelit dhe siguroi që emri dhe vepra e tij do të trashëgohen brez pas brezi:

Mes dhimbjes së madhe shpirtërore, ishin familjarët, miqtë dhe kolegët e tij të artit e të skenës, ata që e konsideruan këtë ndarje një humbje të madhe jo vetëm për to, por për të gjithë kulturën matjane dhe atë shqiptare. Për to, kontributi që i dha muzikës folklorike matjane Ymer Neli nuk mund të shpërblehet. Jo vetëm kaq, ai ishte një artist i një profili të rrallë që të gjithë jetën e vuri në shërbim të kulturës matjane dhe asaj kombëtare si interpretues, krijues dhe laurant i shumë festivaleve folklorike kombëtare, i cilësuar si orfeu i Matit. Ndaj dhe dita e lamtumirës për Ymer Nelin është dhe një ditë e trishtë për artin dhe kulturën matjane.

Të enjten e 7 dhjetorit 2023 u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare instrumentisti virtuoz Ymer Neli, një figurë të jashtëzakonshme e artit matjan e atij kombëtar, një ikonë të muzikës popullore shqiptare – “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetari i Nderi” i Bashkisë Mat, duke lënë pas një trashëgimi të pashtershme folklorike, një jetë të përkushtuar për muzikën.