Pas një heshtjeje të gjatë që nga përfundimi i sezonit futbollistik 2018-2019, ekipi i futbollit Burreli është rikthyer në temë të ditës. Por ndryshimet e mëdha që pritet të ketë ekipi matjan, kanë nisur me postin më të madh drejtues të skuadrës, atë të administratorit të klubit. Pozicionin e Demir Çupit tashmë do ta mbajë Bajram Ballabani i cili vjen nga fusha e biznesit dhe është një ndër tifozët më të mëdhenj të skuadrës matjane, të cilën e ka ndjekur në çdo ndeshje. Vendimi për të qenë në krye të klubit është marrë pak ditë më parë ndërsa pritet vetëm nënshkrimi i kontratës zyrtare me Bashkinë e Matit. Mësohet se këtë të premte është vendosur gjithçka dhe se në vend të ish Administratorit Demir Çupi, të hënën do të jetë Bajram Ballabani. Por megjithëse ka kohë edhe dy muaj nga fillimi i kampionatit, ekipi duhej të ishte mbledhur pasi deri tani janë deklaruar një sërë largimesh edhe pse ende nuk kanë marrë formën zyrtare. Pas disa futbollistëve të cilët tashmë kanë nisur stërvitjen me ekipe të tjera, është edhe ish trajneri Elvis Plori i cili do të drejtojë skuadrën e Besëlidhjes për sezonin që starton me 14 shtator. Menjëherë pas marrjes së detyrës, Ballabani pritet të nisë me grumbullimin e skuadrës dhe për të bërë llogaritë e sezonit të ri sa më shpejt, në mënyrë që të mos përballen me befasi si në dy sezonet e kaluara. Kujtojmë që zoti Ballabani ka qënë një ndër biznesmenët që gjithmonë ka kontribuar financiarisht.