Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dalë në një konferencë për shtyp pas konfirmimit të variantit Delta në Shqipëri.
Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se “kampionet e dërguara kanë qenë nga disa rajone të vendit gjë që tregon se virusi qarkullon gjerësisht në Shqipëri”.
Ndërsa shefja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico është shprehur se për të konfirmuar praninë e variantit Delta të Covid-19 në Shqipëri, janë marrë mostra për periudhën 1 Qershor deri më 12 Korrik. Fico ka përmendur edhe qytetet ku është vënë re prania e këtij varianti.
“Përsa i përket variantit Delta, dyshimi ynë është tashmë konfirmuar. Ne kemi përdorur kite dhe reagentë avangardë. Ky është një proces që është pjesë e punës së ISHP. U dërguan 21 mostra klinike të cilat kanë rezultuar pozitivë. Janë mostra që i kemi vënë mënjanë për periudhën 1 Qershor – 12 Korrik. E rëndësishme është që në këto mostra kemi gjetur në qytete si Tiranë, Elbasan, Kavajë, Peqini, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, Lezha, Korça, Mati. Të gjitha rekomandimet e autoriteteve ndërkombëtare kanë kryefjalë vaksinim, kjo bashkërenduar dhe me masat. Qarkullimi i variuantit tregon që ne nuk e kemi përfunduar këtë detyrë. Të gjitha rastet që kanë probleme të ngjashme me infeksionet e Covid-19, të karantinohen dhe t’i drejtohen mjekut të familjes”, tha Albana Fico.