Rekamë

Shtohet një rast i ri me Covid-19 në Klos, 9 të shëruar në rang qarku

Qarku i Dibrës tashmë ka 20 raste aktive të të infektuarish me Covid-19. Këtë të mërkurë është shtuar një rast i ri në Bashkinë e Klosit i cili nuk ka lidhje me rastin e dalë pozitiv pak ditë më parë.
Burime për Mat Televizion thanë se bëhet fjalë për një të moshuar nga Njësia Administrative Gurrë e cila pas analizave të bëra në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë, ka rezultuar e infektuar me Covid-19. Gjendja e pacientes mësohet të jetë stabile për momentin dhe nuk ka nevojë për shtrim në spitalin infektiv në Tiranë.

Ky është rasti i dytë në Bashkinë Klos që nga shpërthimi i pandemisë në vendin tonë në fillim të muajit Mars të këtij viti. Ndërkohë në Dibër kanë rezultuar dy raste të reja me Covid-19 nga tamponët e dërguar për analizë ditët e fundit. Megjithatë, disa prej përgjigjeve të tamponëve të tjerë, pritet të dalin zyrtarisht të enjten.

Të gjithë të infektuarit mbajnë kontakte me mjekët e familjes për gjendjen e tyre shëndetësore. Ndërkohë, policia vijon kontrollet pranë banesave të tyre nëse po zbatojnë karantinën. Lajmi i mirë është se këtë të Mërkurë në të gjithë Qarkun Dibër kemi 9 të shëruar duke e ulur numrin e të infektuarve aktiv në total në 20.

Mjekët epidemiolog vijojnë të bëjnë apel për kujdes si dhe të lajmërohen instancat përkatëse nëse shfaqen shenjat e virusit korona.