Bllata e Poshtme pa ujë të pijshëm, banorët: ka 30 vite që mashtrohemi

0
32

  Fshati Bllatë e Poshtme në Bashkinë e Dibrës prej vitesh vuan mungesën e ujit të pijshëm. Një ujësjellës i ndërtuar vite më parë nuk funksionon më, duke bërë që banorët të detyrohen të gjejnë alternative të reja për të siguruar ujin e pijshëm. Ata shprehen se për nevojat e tjera të shtëpisë, ujin e marrin nga puset që i kanë hapur pranë banesave, ndërsa ujin për konsum detyrohen të dalin për ta mbartur nga fshatrat e tjerë të largët. Banorët e fshatit Bllatë e Poshtme deklarojnë se në çdo fushatë elektorale ju premtohet uji i pijshëm, por sapo zgjedhjet mbarojnë pushtetarët nuk duken më aty.

Po fshati Bllatë e Poshtme nuk ka problem të vetëm ujin e pijshëm. Edhe pse ka burime të shumta në malin mbi fshat, as ujë vaditës nuk ka mjaftueshëm në këtë fshat. Tjetër problematikë është edhe infrastruktura rrugore. Sipas banorëve këto janë disa nga arsyet që fshatit i janë larguar me dhjetra familje.

Nga ana tjetër, banorët fshatit Bllatë e Poshtme shprehen se me këtë ritëm investimesh në infrastrukturën jetike, fshati do të braktiset plotësisht edhe nga mosha e tretë.