Megjithëse kanë rrjet të furnizmit me ujë të pijshëm, banorët e lagjes “Rrasë” në fshatin Cerujë të Klosit thonë se nuk kanë ujë në çezmat e tyre. Ismet Mzhika thotë se rrjeti i ujësjellësit nuk funksionon pasi nuk ka rrjedhje nga puseta kryesore. Ai shprehet se banorët janë të detyruar të shkojnë çdo ditë tek puseta e të nisin vetë procesin e kalimit të ujit për tubat e banesave. Sipas tij, deri tani problemi nuk është zgjidhur që nga ndërtimi i ujësjellësit. Madje, kohët e fundit banorëve ju është thënë që përgjegjësia është e Drejtorisë Rajonale të Ujësjellësave për Qarkun Dibër.
Banorët e lagjes “Rrasë” në fshatin Cerujë kërkojnë rregullimin e këtij problemi, pasi në të kundërt do të vijojnë të mos paguajnë asnjë faturë për ujin, për sa kohë nuk kanë ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre.