Kuvendi mblidhet për të vlerësuar institucionet kyçe të vendit

Kuvendi mblidhet për të vlerësuar institucionet kyçe të vendit

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet këtë të hënë, më 13 korrik, në orën 10:00, në seancë plenare. Deputetët pritet të shqyrtojnë një sërë projektrezolutash që lidhen me vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve kryesore të vendit për vitin 2025.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve plenare të datave 30 qershor dhe 2 korrik, si dhe me njoftime.

Në vijim, deputetët do të diskutojnë dhe votojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së një sërë institucionesh kyçe, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), Bankën e Shqipërisë, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Institutin e Statistikave (INSTAT), Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH), Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA), Entin Rregullator të Energjisë (ERE) dhe Entin Rregullator të Ujit (ERRU). Të gjitha këto vlerësime do të fokusohen në veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2025.

Në përfundim të rendit të ditës, seanca parashikon edhe diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit. Mbetet ende për t'u parë nëse opozita do të marrë pjesë, teksa indiciet e fundit nga deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, kanë qenë negative. Gjithashtu, seancat e shkuara janë shoqëruar me protesta dhe trazira jashtë ambienteve të parlamentit, duke lënë të hapur pyetjen nëse akte të tilla do të përsëriten edhe këtë herë.