Policia e Kurbinit ka arrestuar një 25-vjeçar nga Mamurrasi për kultivim narkotikësh. Gjatë kontrolleve me dron, u konstatua kultivimi i disa bimëve narkotike në fshatin Golem.
Gjithashtu gjatë kontrolleve në banesën e të riut, u gjet dhe u sekuestrua edhe një armë pa leje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Kurbinit për veprime të mëtejshme.
Evidentohet dhe goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike. Vihet në pranga autori i dyshuar. mSekuestrohet edhe një armë gjahu pa leje. Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit me dronë dhe me këmbë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e atyre personave që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, kanë konstatuar të kultivuara në fshatin Goleme, Mamurras, Kurbin, në një pronë publike, disa bimë narkotike cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, shtetasin: E.Z., 25 vjeç, banues në Mamurras. Gjatë kontrollit të banesës, këtij shtetasi iu gjet dhe një armë gjahu pa leje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.