Hedhja e mbeturinave gjatë lëvizjes në rrugët e vendit tonë mbetet një nga problemet shqetësuese për ndotjen e mjedisit. Natyrisht që ka zona që nuk mbulohen me kontejner të grumbullimit të mbetjeve, por çështja nuk qëndron këtu.

Ndonëse në të gjithë aksin rrugor Klos – Burrel ka kontejner mbeturinash, mbetjet e produkteve që konsumohen gjatë udhëtimit, hidhen vend e pa vend. I tillë është edhe rasti pranë burimit në vendin e quajtur “Shkëmbi i kuq” nën lagjen “Shkorsë”.

Ky burim uji është vendndalim i dhjetra automjeteve dhe udhëtarëve që qarkullojnë në drejtim të Klosit apo Burrelit. Por siç duket nga pamjet, ambalazhet e produkteve që kanë konsumuar drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët, janë hedhur aty.

Prania e tyre jo vetëm është një imazh i shëmtuar për të gjithë ata që qarkullojnë në këtë aks rrugor, por edhe ndot ambjentin përreth. Ekspertët e mjedisit thonë se ndërgjegjësimi qytetar për të mbrojtur mjedisin, është më shumë problem se mungesa e shërbimit të grumbullimit dhe tërheqjes së mbeturinave nga autoritetet.

Këta të fundit kanë zhvilluar vazhdimisht fushata sensibilizuese, duke u angazhuar edhe vetë në pastrimin e territorit, por ajo që bie në sy është neglizhenca e vetë qytetarëve për të patur një mjedis sa më të pastër.