KRONIKË HOMAZH / NDAHET NGA JETA HISTORIANI I SHQUAR MATJAN, PROF. DR. MUHARREM DEZHGIU

KRONIKË HOMAZH / NDAHET NGA JETA HISTORIANI I SHQUAR MATJAN, PROF. DR. MUHARREM DEZHGIU

Lajmi i hidhur ka tronditur sot botën akademike dhe kulturën shqiptare, e në veçanti atë matjane. Prof. dr. Muharrem Dezhgiu, historian dhe studiues i njohur i Institutit të Historisë, u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur intelektuale dhe një boshllëk të madh në historiografinë kombëtare. I lindur më 1 shtator 1944 në fshatin Guri i Bardhë të Matit, Dezhgiu e ndërtoi gjithë jetën e tij rreth kërkimit shkencor dhe pasionit për historinë e Shqipërisë. Ai u bë një nga zërat më autoritativë të historiografisë shqiptare, duke iu përkushtuar me përkushtim të palodhur studimit të periudhave më të rënda të shtetit shqiptar, vecanërisht Luftës së Dytë Botërore dhe periudhës së pushtimeve të huaja. Gjatë karrierës së tij të gjatë, prof. Dezhgiu ka lënë pas një veprimtari të dendur botimesh. Ndër veprat më të njohura të tij përmenden: “Veprimtaria e shtetit të ri të demokracisë popullore (maj-nëntor 1944)”, “Shqipëria në luftë (1939-1944) – studime dhe refleksione”, “Anastas Lula – disidenti i parë në PKSH”, si dhe dy vëllime kushtuar pushtimeve italiane dhe gjermane. Ai ka qenë gjithashtu bashkautor i librit “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve” dhe një nga autorët kryesorë të botimit madhor të Institutit të Historisë, “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, si dhe bashkautor i “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”. Lajmin për ndarjen nga jeta e tij Instituti i Historisë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi prekës, duke i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, kolegëve dhe gjithë komunitetit akademik. Në njoftim, kolegët e tij e kujtojnë atë si një studiues të përkushtuar dhe një njeri me integritet të lartë, i cili me punën e tij ndriçoi fakte dhe ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare. Me vdekjen e prof. dr. Muharrem Dezhgiut, Shqipëria humb një nga historianët më të shquar të brezit të tij, një zë që nuk do të heshtë kurrë falë veprës së tij të pavdekshme. Mati, Vlonë dhe gjithë shqiptarët kudo ndjejnë sot dhimbjen e ndarjes së këtij djali të shquar të kombit, por trashëgimia e tij do të vazhdojë të jetë udhërrëfyes për brezat që vijnë. Lavdi dhe respekt për jetën dhe veprën e prof. dr. Muharrem Dezhgiut!