Është zhvilluar këtë të enjte mbledhja e parë e këshillit bashkiak i dalë nga zgjedhjet lokale të 14 Majit në Bashkinë e Klosit. Nga kjo mbledhje u bë kostituimi i këshillit si dhe mandatimi i Valbona Kola në krye të Bashkisë së Klosit. Mbledhja u drejtua fillimisht nga këshilltarja më e madhe në moshë, Drita Bala e më pas u zgjodh komisioni i mandateve. Kryetari i këtij komisioni Bashkim Dardha lexoi edhe përbërjen e këshillit bashkiak në këtë mandat 4-vjeçar si dhe më pas të gjithë këshilltarët u betuan.

Më pas këshilli vijoi me procedurën e zgjedhjes së drejtuesit të tij ku kandidaturë e vetme ishte këshilltarja Hazbie Dedolli. Nga votimi i 21 anëtarëve të këshillit bashkiak, Dedolli siguroi 19 vota pro dhe 2 abstenim, duke u mandatuar si kryetare e këtij këshilli.

Kryetarja e sapozgjedhur e këshillit bashkiak, Hazbie Dedolli kaloi më pas në procedurën e marrjes së detyrës si kryebashkiake e Klosit, Valbona Kola, ku fillimisht u lexua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm për vlefshmërinë e mandatit të kryebashkiakes Kola si dhe u lexua tekstin e betimit.

Pas betimit të Kryetares së Bashkisë Klos për mandatin qeverisës 2023 – 2027, këshilli vijoi me procedurën e zgjedhjes së zëvendëskryetarëve të Këshillit Bashkiak. Për tre pozicionet e zëvendëskryetarit u propiozuan tre kandidatura, dy nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike.

Me shumicë të theksuar votash u zgjodhën zëvendëskryetare e parë, Lefterie Muça, zëvendëskryetare e dytë Drita Bala dhe zëvenëskryetar i tretë nga Partia Demokratike, Edison Leti.

Procedura vijuese ishte për zgjedhjen e 3 anëtarëve të cilët do të jenë pjesë e Këshillit të Qarkut Dibër. Këshilli votoi për Armand Gjinin, Erion Hutra dhe Nexhmije Dedolli.

Në ndjekje të procesit të kostituimit të Këshillit Bashkiak Klos, ishte edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, deputetët e Qarkut Dibër, Lavdrim Krrashi e Aurora Mara, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu e Nënprefekti i Matit Hasan Pasha. Prefekti Shehu uroi këshillin e ri bashkiak Klos dhe kryetaren e Bashkisë Klos Valbona Kola për suksese dhe përkushtim në detyrën e tyre.