Komisioni i Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë ka lënë në fuqi vendimin e Komisioneve të Votimit të zgjedhjeve primare në Dibër në datat 4 e 11 Dhjetor të vitit të kaluar, duke bërë që grupimi i Berishës të ketë kandidat në zgjedhjet lokale të 14 Majit të këtij viti avokatin Ismail Uka.
Ka qenë kandidati Besnik Alku që ankimoi vendimin e komisionit të votimit të balotazhit të 11 Dhjetorit, duke pretenduar për parregullsi në process. Alku i kishte kërkuar Komisionit të Organizimit të Operacioneve Elektorale që të mos njohë procesin e 11 Dhjetorit. Ky komision kishte vendosur përsëritjen e zgjedhjeve me datë 21 Janar, zgjedhje të cilat u shtynë për shkak të apelimit që bëri kandidati Ismail Uka pranë Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit, i cili ka hedhur poshtë pretendimet e Alkut dhe komisionit të Organizimit të Operacioneve Elektorale.
Sipas dokumentit që disponon Mat Televizion, Komisioni i Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit, përfundimisht është vendosur që kandidat zyrtar i grupimit të Sali Berishës në zgjedhjet e ardhshme lokale, do të jetë avokati Ismail Uka.
Deri tani për Bashkinë Dibër do të garojnë 3 kandidat, kryebashkiaku aktual Rahim Spahiu i rikonfirmuar nga kryeministri Edi Rama, Ismail Uka nga grupimi i PD së Berishës dhe Naim Gazidede i grupimit të Alibeajt.
Dritan Kurti