Ministria e Infrastrukturës zgjati me 1 vit e katër muaj kontratën koncesionare të kolaudimit me kompaninë SGS.Ndonëse zgjatja e afatit nuk është njoftuar zyrtarisht, burime nga ministria thanë se shërbimi i kolaudimit do të mbetet ekskluzivitet i kompanisë zviceriane deri në dhjetor të vitit 2020.

Kolaudimi i automjeteve u dha me koncesion në vitin 2009 nga qeveria e atëhershme e partisë demokratike tek kompania zviceriane SGS për një afat 10 vjeçar. Sipas kontratës, marrëveshja e koncesionit duhet të përfundonte këtë të martë, pra në datën 3 shtator të vitit 2019 dhe shërbimi o kontrollit teknik të automjeteve duhej t’i rikthehej shtetit, së bashku me të gjitha asetet dhe investimet e kryera nga kompania private.

Në klauzolat e kontratës koncesionare ishte përcaktuar edhe rruga se si shërbimi duhej t’i rikthehej shtetit duke i lënë detyrë ministrisë së infrastrukturës që të nisë procesin e transferimit 6 muaj përpara përfundimit të koncesionit.

Por Ministria e Infrastrukturës zgjodhi të mos veprojë për ta rikthyer kolaudimin në shtet duke vendosur ta zgjasë afatin e koncesionit deri në dhjetor të vitit të ardhshëm.

Shërbimi i kolaudimit është një treg që qarkullon rreth 8 milionë euro në vit. Sipas bilancit zyrtar, vitin e kaluar kompania SGS realizoi një fitim neto prej 1.6 milionë euro, me një rritje prej 20 për qind krahasuar me 2017-ën.

Për shkak të leverdishmërisë ekonomike, koncesioni i kolaudimit të automjeteve ka qenë gjithmonë i lakmuar nga grupet vendase të biznesit, por deri tani mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me këtë koncesion pas vitit të ardhshëm/Top channel