Ekipi i Mirditës triumfoi të dielën ndaj klosjanëve në përballjen e luajtur në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit. Ekipi klosjan shpërdoroi disa raste në pjesën e parë, duke mos arritur të gjejë rrjetën e portës mike. Tentativat e Himës, Domës dhe Meshajt dështuan për 45 minuta me radhë edhe pse në të paktën tri raste mund të kishin shënuar gol. Miqtë provojnë me Pjetrin e Kaçorin por pjesa e parë mbyllet me porta të paprekura.
Në pjesën e dytë miqtë janë më agresiv dhe tentojnë disa herë të shënojnë. Një rast i pastër vjen në minutën e 70 kur Kaçorri godet fort përballë e topi ndalet nga traversa. Nga ana tjetër janë vendasit që mundohen të mbajnë nën trysni ekipin kundërshtarë duke zhvilluar aksione të shpeshta, por pa arritur të gjuajnë drejt portës së mbrojtur nga Gjini. Mirditorëve ju anulohet një gol për pozicion jashtë loje. Megjithë notat e protestës së lëshuar ndaj gjyqtarit kryesor Bajram Canga, ky i fundit lë rezultatin pa gola dhe urdhëron vijimin e lojës. Pesë minuta nga fundit miqtë shfrytëzojnë saktë një goditje dënimi.
Është Pjetri të cilit i besohet gjuajtja nga ana e stafit teknik. I gjendur pranë zonës vendase edhe pse me murë mbbrojtës prej 6 lojtarësh, ai godet saktë duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit Lleshaj. Miqtë i gëzohen golit ndërsa nuk ka më kohë për ndryshim rezultati me gjithë 4 minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari i katërt, Grimci. Me tri pikët e marra në “Liri Ballabani”, Mirdita ngjitet në vendin e tretë me vetëm tri pikë larg kryesuesës së grupit A, Vorës.