Ekipi i Klosit mori tri pikët e para në këtë sezon pas humbjes së një jave më parë në shkodër kundër Vllaznisë B. Klosjanët pritën të dielën në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit ekipin Ada të Velipojës. Fillimi i ndeshjes nisi me ofensivë të miqëve me Danjel Markun e Pepajn por vendasit nuk lejuan që topi të depërtonte në rrjetë. Në minutën e 14 Zmijanej për miqtë do të dëmtohj gjatë një dueli mbrojtës. Dëmtimi ishte i rëndë çka u desh transportimi i tij për mjekim në spitalin e Burrelit dhe të zëvendësohej me Ymerin. Në minutën e 34 miqtë rrezikojnë me Danjel Markun i cili godet shtyllën e portës së mbrojtur nga Lleshaj. Ky rast motivoi vendasit për të shtuar sulmet dhe në minutën e 41 është Maçi i cili zhbllokon rezultatin nga 0 me 0 në 1 me 0. Ky gol do të sillte entuziazëm në shkallët e stadiumit ndërsa ekipet do të futeshin në dhomat e zhveshjes me avantazh të vendasve.
Në pjesën e dytë nuk do të mungonin rastet e shumta të Domës, Allamanit dhe Farrukut. Megjithatë aksionet nuk u finalizuan deri në minutën e 80 kur Doma çon rezultatin në 2 me 0 pasi merr një pasim nga e majta e tij dhe shënon. Tre minutat shtesë të dhënë nga gjyqtari i katërt i takimit Ditmir Grimca i shërbyen Klosit. Është sërisht Doma që trefishon rezultatin pas një gjuajtje në ballore. Miqtë rritin nervozizmin por nuk mund të bëjnë asgjë më shumë pasi nuk ka kohë. Gjithçka u mbyll në “Liri Ballabani” Klosi 3 e Ada 0. Megjithëse tek Klosi tregoi një ekip kompakt dhe më teknik se ai i vitit të kaluar, ajo që ra në sy ishte se në stol ishte vetëm një futbollist rezervë, Shehi.