Pasditen e së dielës një zjarr masiv përfshiu masivin pyjor me dushqe e pishë të zezë në fshatin Kloskatund të Bashkisë së Klosit. Sapo vatra e zjarrit u aktivizua u ndërhy menjëherë nga Shërbimi Zjarrfikës dhe ai pyjor i Bashkisë Klos, duke e neutralizuar. Por për shkak të erës së fortë zjarri është riaktivizuar gjatë orëve të natës.
Pas disa orësh luftë me flakët, zjarrfikësit e Klosit, të shërbimit pyjor dhe banorë të zonës arritën ta shuanin vatrat e zjarrit. Dëmi ekonomik pritet të jetë i madh për shkak se një pjesë e zjarrit ka përfshirë pishat shumëvjeçare.
Ndërkohë policia dhe grupi hetimor mbërriti në vendndgjarje për të zbardhur rrethanat e aktivizimit të këtij zjarri. Nga hetimet e shpejta, policia ka shoqëruar një 22-vjeçar dhe ka proceduar më pas në gjendje të lirë banorë të fshatit Kloskatund nën akuzën e zjarrvënies së pronës publike.
Autoritetet lokale të mbrojtjes civile vijojnë t’ju bëjnë apel banorëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bëhen shkak për zjarre në masivet pyjore. Po ashtu, të gjitha rastet do të referohen në polici dhe kjo e fundit do të bëjë të mundur ndëshkimin e çdo zjarrvënësi të qëllimshëm apo jo, sipas dispozitave ligjore në fuqi.