Nxënësit e klasës së parë dhe të katërt në shkollën 9 vjeçare “Ibrahim Temo” në fshatin Kurdari, të Njësisë Administrative Suç, në Bashkinë e Klosit, prej dy ditësh kanë bojkotuar mësimin. Shkak për këtë bojkot bëhet bashkimi i këtyre klasave në një klasë kolektive.

Prindërit dhe gjyshërit e nxënësve kërkojnë që mësimi të bëhet si vitin e kaluar ku secila klasë të ketë mësuesin e tij. Ata thonë se do të vijojnë protestën dhe bojkotin e mësimit deri sa kërkesa e tyre të merret parasysh nga Zyra Vendore Arsimore Klos.

Drejtues të ZVA Klos thanë se problemi po shqyrtohet, ndërsa shkak për bashkimin e klasave është bërë ulja e numrit të nxënësve. Por veç problemit të bashkimit të klasave në kolektive, prindërit ngrejnë shqetësimin edhe për kushtet në këtë godinë arsimore pasi sipas tyre është bërë vetëm lyerja nga jashtë por jo meremetim brenda godinës shkollore.