Largimin e shqiptarëve e kanë ndjerë edhe bizneset e vogla, sidomos ato në zonat rurale. Në fshatrat e Klosit bizneset e ushqimoreve po shkojnë drejt mbylljes pasi, sipas administratorëve, nuk ka më fuqi blerëse. Këtë problem po e vuan edhe tregtari Rasim Shahini nga fshati Bejn i Klosit, që menaxhon prej 10 vitesh një dyqan ushqimor në fshatin e tij. Ai thotë se situata ka ardhur çdo vit në përkeqësim, për shkak të largimit në masë të banorëve. Nga ana tjetër, Rasimi thotë se në fshat kanë mbetur vetëm të moshuarit të cilët me pensionet që marrin nuk e përballojnë jetesën ndaj dhe marrin produkte ushqimore me listë, ku detyrimet i shlyejnë gradualisht. Ndërkohë, shton se këtë muaj borxhet nuk po kthehen në kohë, pasi pensionistët thonë se nuk i kanë marrë ende pensionet.
Tregtari Rasim Shahini e përfundon prononcimin e tij me objektivin që nëse situata vijon të mbetet e tillë, do të detyrohet ta mbyllë biznesin që ka prej më shumë se 10 vitesh që e ushtron, duke i shërbyer sadopak edhe komunitetit në fshatin Bejn të bashkisë Klos.