Klos – Burrel pa sinjalistikë horizontale
Segmenti rrugor Klos – Burrel, pjesë e rrugës nacionale Skuraj – Peshkopi, është një segment i rikonstruktuar i gjithi në vitin 2018. Gjendja e asfaltit vijon të jetë e mirë, ndërsa problem mbetet sinjalistika. Siç duket nga pamjet, vijat e bardha që ndajnë korsinë e lëvizjes në këtë rrugë janë fshirë totalisht. Pak të dukshme mbeten vijat anësore, ndërsa vija ndarëse në mes është fshirë në të gjithë gjatësinë prej 18 kilometrash të kësaj rruge. Autoriteti Rrugor Shqiptar investoi në sinjalistikën horizontale pak muaj më parë vetëm në segmentin nga Peshkopia në Bulqizë dhe la pa përfshirë segmentin nga Klosi në Burrel, por edhe nga Burreli në Skuraj. Ekspertët rrugor thonë se sinjalistika horizontale është po aq e rëndësishme sa edhe ajo vertikale. Kjo, pasi jo vetëm që shërben për të ndarë karrexhatën në dy pjesë që drejtuesit e mjeteve të kenë korsinë e tyre të lëvizjes, por edhe në rast të aksidenteve ndihmon ekspertët të përcaktojnë fajtorin. Problemi më i madh për drejtuesit e mjeteve në aksin rrugor Klos – Burrel mbetet lëvizja gjatë natës ku në errësirë thuajse të plotë, e kanë të pamundur të orjentohen me korsinë e tyre të lëvizjes. Në këto kushte shqetësimi i përdoruesve të këtij aksi nacional duhet të vërë në lëvizje instancat përgjegjëse për të ndërhyrë sa më parë në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në rrugën Burrel-Klos.