KLOS, BANORËT E GURRËS TË NDARË PËR REFORMËN TERRITORIALE, PRO DHE KUNDËR
Dëgjesa e radhës e Këshillit bashkiak Klos në kuadër të marrjes së mendimit të banorëve në lidhje me reformën administrative-territoriale është ndalur pasditen e së martës në Njësinë Administrative Gurrë. Ndryshe nga Njësia Adminiastrative Xibër, në Njësinë Gurrë banorët ishin të ndarë në lidhje me bashkimin e Bashkisë Klos me atë të Matit. Disa nga banorët që morën fjalën shprehën pakënaqësi ndaj shërbimit të bashkisë Klos dhe ishin të mendimit se reforma territoriale duhet të bëhet sipas draft propozimit të mazhorancës ku Bashkia Klos t'i bashkohet Bashkisë Mati, për një qeverisje vendore më efektive. Por shumë banorë të tjerë e kundërshtuan shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimit të saj me Bashkinë Mat me argumentin se shërbimet vetëm sa largohen më shumë, ndërsa përmendën investimet e bëra sëfundmi me asfaltimin e rrugëve. Dëgjesa e radhës e Këshillit bashkiak Klos do të ndalet në Njësinë Administrative Suç dhe më pas në atë Klos, para se ky organ i qeverisjes vendore të dalë me një vendim zyrtar për bashkimin apo jo me Bashkinë Mat.