Nxënësit e klasave të 9-ta në të gjithë vendin testuan njohuritë e tyre këtë të martë në provimin e lëndës së Matematikës. Rregullat e provimit janë të njëjta si ato të maturës shtetërore, ndërsa nxënësit u paraqitën që në orën 08.00 pranë qendrave të përcaktuara për zhvillimin e këtij provimi.
134 nga 135 nxënës të klasave të 9-ta në të gjitha shkollat 9-të vjeçare të bashkisë së Klosit u mblodhën dhe u testuan në mjediset e shkollës 9-të vjeçare “Tahir Hoxha” të qytetit të Klosit.
Sipas përfaqësuesve të zyrës vendore arsimore Klos, i gjithë procesi i provimit ka kaluar pa probleme dhe se minimaturantët kanë patur kohën e mjaftueshme për t’ju përgjigjur testit të provimit kombëtar.
Ndërsa në bashkinë e Matit, u testuan në lëndën e Matematikës 200 nga 206 nxënës nga të gjitha shkollat 9-vjeçare të kësaj bashkie. Edhe këtu procesi i provimit është zhvilluar pa asnjë problematikë, ndërsa nxënësit patën mundësinë që të plotësonin testin me kohë të mjaftueshme në dispozicion.
Provimi i radhës kombëtar për klasat e nënta do të zhvillohet ditën e premte në lëndën e Gjuhës së Huaj.