Policia e Dibrës në bashkëpunim me forcat speciale Renea dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë ushtruar një aksion antidrogë në zonat malore të qarkut të Dibrës.

Si pasojë e kontrolleve të kryera është zbuluar një sasi e bimëve narkotike, të cilat ishin në proces tharje. Kjo sasi u konstatua në disa zona të Lurës, ku në flagrancë të arrestuar mbetën shtetasit me inicialet A. K., 16-vjeç, F. K., 27-vjeç të dy vëllezër me njëri-tjetrin. Në pranga ka përfunduar edhe shtetasi me inicialet F. K., 18-vjeç.

Të tre këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet të jenë pronarët e lëndës narkotike.

Materialet hetimore për rastin në fjalë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Kontrollet nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, forcat speciale Renea dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Kontrollet nga shërbimet e përbashkëta policore kanë vijuar në disa zona të thella malore të qarkut Dibër, pasi disponohej informacion për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit në një zonë të thyer malore të Lurës janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. K., 16 vjeç dhe F. K., 27 vjeç (vëllezër) dhe F. K., 18 vjeç, banues në fshatin Grykë Nokë, Bashkia Dibër. Këta shtetas dyshohen se janë autorë të kultivimit të bimëve narkotike në këtë zonë.  

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar një sasi lënde narkotike, si dhe kanë asgjësuar me anë të djegies pjesën tjetër të bimëve që ishin në proces tharjeje, ku një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprime të mëtejshme.