Nga Mentor Kikia

Një diskutim në “Opinion”, ose më saktë mënyra e komunikimit mes drejtuesve të dy fondacioneve bamirëse, ishte gati i pështirë. Asgjë më shumë; ishte një lloj gare për vëmendje dhe protagonizëm: Kush ka bërë më shumë për shqiptarët e varfër?
Me këtë rast, doja të ndalesha në një fenomen që po e degjeneron edhe humanizmin si virtut njerëzor.

Së pari: A janë bamirës këto dhe te tjera fondacione? Unë them që jo.
Sepse drejtuesit e tyre nuk kanë dhuruar asgjë nga vetja. Këta janë vetëm menaxherë të ndihmave që japin të tjerët. Fondacione të drejtuara si të ishin kompani private, ato janë shndërruar gati-gati në biznese që “shesin” bamirësinë e të tjerëve. Ato kanë krijuar infrastruktura si të ishin kompani të mëdha tregtare, dhe padyshim që nuk i japin askujt llogari për mënyrën e menaxhimit të këtij humanizmi që u vetëofrohet si mëshirë për mjerimin. Te jemi te qarte: Nuk kam fijen e dyshimit per abuzim ne aspektin financiar apo material.
Përtej kësaj, etja për mediatizimin, e ka bërë bamirësinë në Shqipëri të pështirë. Djem e vajza me qese me ushqime në duar vihen në rresht për të hyrë në shtëpinë e njerëzve të mundur nga mjerimi. Foto e filmime pa fund. Qeset me oriz e miell iu plasen në prehër të varfërve, ndërsa salçiçet ua varin në qafë, për tu bërë fotografi. Fëmijë të paushqyer e të zhveshur vihen në rresht për të bërë foto me shpëtimtarin, bamirësin e madh. I filmojnë mbarë e prapë. Kujdesen të fiksohet çdo rraqe e shtëpisë, çdo këmbë e zbathur, çdo bluzë e shqyer, çdo pjatë dhe tenxhere e palarë dhe e zbrazur… Përse? Cili është qëllimi? Që të tregohet se janë të varfër? Nuk ka nevojë për kaq shumë detaje.
Mjerimi të shvesh nga çdo lloj ndjeje njerëzore, të bën të ulësh kokën e të thuash vetëm “faleminderit”. Por jo deri këtu!
Nuk jam kunder bamiresise. Jam kunder dhunimit te te drejtave te femijeve dhe denigrimit te dinjitetit njerezor.

Ne te njejten menyre sillen edhe politikanet e pushtetaret, ndersa shperndajne batanije e çokollata.
Etja për protagonizëm, për heroizëm dhe shenjtëri bën që njerezve të varfër tu merret çdo lloj dinjiteti. Mendoni pak, pas disa vitesh kur ai fëmijë të rritet e të shkojë në shkollë, në rrjetet sociale do të jenë akoma videot kur atij i dhurohet një copë bukë në dorë dhe kur i duhet të bëjë si i lumtur kur të dalë në fotografi me atë “xhaxhin” që ia dhuroi.

Nuk ka nevojë tia varësh trastën e ushqimeve të dhuruara në qafë e tia tregosh gjithë botës. Bamirësia nuk bëhet për famë, por për shpirt.